Komandanti i KFOR-it në Kosovë, Ferenc Kajari, ka thënë se është momenti që të bëhen hapa para në dialogun Kosovë-Serbi, që të vihet tek marrëveshja përfundimtare.
Ai këtë e ka thënë kur është pyetur nëse është koha e duhur që Kosova të anëtarësohet në NATO, derisa ka pasur paralajmërime për aplikim në këtë aleancë ushtarake.
Kajari në një intervistë për KlanKosova.tv, ka theksuar se nga dialogu në mes të dyja vendeve varet edhe siguria rajonale.
“Ky është momenti i duhur për të bërë hapa të rëndësishëm përpara në dialogun e ndërmjetësuar nga BE, me synim normalizimin e marrëdhënieve në mes të Beogradit dhe Prishtinës. Kjo është rruga e vetme drejt arritjes së një marrëveshjeje të qëndrueshme politike dhe është çelësi për stabilitet të mbarë rajonit, pavarësisht nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës”, është shprehur ai, derisa ka shtuar se vendimi për anëtarësimin e Kosovës ose jo është në dorën e Këshillit Veri-Atlantik që funksionon në kuadër të NATO-s.
Më tej, komandanti hungarez i misionit të KFOR-it ka folur edhe për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe një pike që ia ndalon asaj shkuarjen në pjesën veriore pa miratimin e tij.
“NATO pret që autoritetet lokale të vazhdojnë të respektojnë zotimet ekzistuese për dërgimin e FSK-së”, thekson ai kur pyetet nëse gjatë mandatit të tij mund të ndryshojë diçka sa i përket kësaj çështjeje.
Kajari në intervistë flet edhe për bashkëpunimin me institucionet e sigurisë në Kosovë, nevojën e pranisë së KFOR-it, ndikimin e luftës në Ukrainë në rajonin e Ballkanit Perëndimor si dhe sigurinë aktuale në këtë pjesë të Evropës që ai e lidh me procesin e dialogut Kosovë-Serbi.