Komandanti i KFOR-it, Gjeneralmajor, Enrico Barduani, u takua sot Irene Fellin, përfaqësuese speciale e sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për gratë, paqen dhe sigurinë.
Takimi u mbajt në “Film City” në Prishtinë.
Në një njoftim zyrtar, Misioni i NATO-s në Kosovë, bën të ditur se bisedimet kanë qenë një mundësi e jashtëzakonshme për të shkëmbyer pikëpamje mbi mënyrën e zbatimit më të mirë, edhe në sferën e misionit të KFOR-it, të agjendës së grave, paqes dhe sigurisë, në përputhje me dispozitat e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it
Takimi i sotëm vjen një javë pas konferencës së KFOR-it mbi gratë, paqen dhe sigurinë, të mbajtur në Selanik, më 27 dhe 28 maj.