Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, i cili përfaqëson 34 organizata joqeveritare, po i ndjek me shumë shqetësim informatat e publikuara në media mbi përhapjen e lojës së rrezikshme që po qarkullon në TikTok “Sfidë apo e vërtetë”, e cila nxit sjelljet vetëdëmtuese të fëmijëve.
KOMF thotë se deri tani, sipas publikimeve në dy shkolla 9-vjeçare të komunës së Fushë-Kosovës dhe Lipjanit, janë identifikuar rreth 20 nxënës të cilët kanë marrë pjesë në këtë lojë duke dëmtuar krahët e tyre me mjete të mprehta.
“Megjithatë, ekziston mundësia që ky numër të jetë më i madh apo që ai të rritet në ditët në vijim, duke qenë se loja qarkullon online dhe është e qasshme në telefona, pajisje të cilën shumë fëmijë e posedojnë apo me të cilën ata kalojnë një kohë të gjatë. I drejtohemi të gjithë fëmijëve, kjo nuk është një ‘lojë’. Luajtja e kësaj loje, ju dëmton fizikisht dhe mund të ketë pasoja që zgjasin në shëndetin tuaj. Përfshihuni në lojëra që ju ndihmojnë të rriteni të fortë e të shëndetshëm dhe qëndroni larg këtyre mashtrimeve”, ka thënë KOMF në këtë reagim.
KOMF u ka bërë thirrje të gjithë fëmijëve që të raportojnë tek prindi apo mësuesi nëse kanë informacion se shokët apo shoqet e tyre janë të përfshirë në këtë lojë.
“Vetëm kështu mund të ndihmoni vërtet shokët tuaj”, theksoi KOMF-i në komunikatë.
KOMF po ashtu u ka bërë thirrje të gjithë prindërve të monitorojnë fëmijët gjatë qëndrimit të tyre në internet dhe të flasin më fëmijët për këtë “lojë”, rreziqet dhe dëmet që ajo sjell.
KOMF-i kërkoi në fund nga institucionet që të zbatojnë me përpikmëri udhëzimin administrativ për masat për mbrojtjen e fëmijës kundër faqeve të internetit me përmbajtje pornografike dhe të atyre që dëmtojnë shëndetin dhe jetën e fëmijës, i cili derivon nga Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës.