Zyrtarja më e lartë për migrim e Bashkimit Evropian, ka thënë se shtetet anëtare do të duhet të përballen me sfida të vështira politike, edhe në vitin aktual zgjedhor, për të përballuar plakjen e popullsisë së kontinentit.
Ylva Johansson, komisionerja e BE-së për çështjet e brendshme, tha se ka një nevojë urgjente për t’u larguar nga migrimi i paligjshëm dhe për të gjetur alternativa më legjitime.
“Për arsye demografike, fuqia punëtore në BE do të zvogëlohet për 1 milion për vit. Kjo nënkupton që migracioni legal duhet të rritet për më shumë ose më pak se një milion për vit. Dhe kjo është vërtet një sfidë”, ka thënë Johansson.
Komisioni Evropian është duke provuar që të finalizojë një rishikim të rregullave të BE-së për migracion përpara përfundimit të mandatit dhe zgjedhjeve të Parlamentit Evropian në qershor.
Sipas projeksioneve të bëra nga agjencia evropiane e statistikave, Eurostat, pjesa e popullsisë 65 vjeç e lart do të rritet nga 21.1 (2022) në 31.3% deri në fund të shekullit.