Komisioni Evropian e ka paralajmëruar Shqipërinë në lidhje me skemën e pasaportave të arta.
KE-ja është shprehur se nëse nuk heqin dorë, një progam i tillë mund të çojë në pezullimin e vizave.“Ky është një shqetësim i madh për BE-në në kuadrin e marrëveshjes së saj pa viza me Shqipërinë.
Komisioni mendon se, nëse skema të tilla vlerësohet se përbëjnë një rrezik në rritje për sigurinë e brendshme dhe politikën publike të Shteteve Anëtare, regjimi pa viza mund të pezullohet”, thuhet në deklaratë.
Komisioni tha se Shqipëria ka ndjekur shumicën e rekomandimeve të tyra të bëra më parë, megjithatë, raporti theksoi se Shqipëria gjithashtu ka paraqitur masa që bien ndesh me rekomandimet e KE-së në lidhje me përafrimin si dhe programin e shtetësisë, duke theksuar kështu përparimin e mëtejshëm që është i nevojshëm për çështje specifike, ndër to heqja e planit për futjen e skemës së Pasaportës së Artë.
Skema e Pasaportës së Artë lejon të huajt e pasur që kontribuojnë financiarisht në Shqipëri dhe plotësojnë kërkesa specifike që të marrin nënshtetësinë në këtë vend. Megjithatë, shpesh ka pasur kritika se kjo skemë është një derë e hapur për shumë afera të paligjshme.
Pavarësisht rekomandimeve të Komisionit Europian, autoritetet në Shqipëri kanë theksuar më parë se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar në lidhje me zbatimin e kësaj skeme.
Komisioni vazhdon t’u bëjë thirrje të gjitha shteteve anëtare që drejtojnë programe të tilla që t’i ndërpresin ato sa më shpejt të jetë e mundur.