Komisioni për Legjislacion dhe Mandate ka votuar ndryshimet në Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të Procedurës Penale.
Në këtë mbledhje, për Raportin vjetor të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas për vitin 2020, kanë raportuar Beshir Islami, kryesues i Këshillit për Ndihmë Juridike Falas, dhe U.D. Drejtores Ekzekutive, Anita Alaj –Kalanderi.
Anëtarët e këtij komisioni, ndër tjera, janë njoftuar se kjo agjenci vepron në 21 qytete të Kosovës, me 7 zyre regjionale, dhe 14 mobile.
Zyrtarët e këtij agjensioni, kanë folur edhe për sfidat, si mungesa e buxhetit, që po ua pamundëson shtrirjen edhe në komuna të tjera, për t’iu ofruar qytetarëve ndihmë juridike falas.
Adnan Rrustemi kryetar i Komisionit, tha se nuk ka propozime të amendamenteve nga deputetët, prandaj edhe ka kërkuar miratimin e menjëhershëm.
“Amendamente nuk ka nga deputetët e Kuvendit. Ka ndryshime të vogla por të rëndësishme. Të kalohet propozimi më lexim të dytë në Kuvend pas përfundimit të leximit të parë”.
Anëtari i Komisionit, deputeti i LDK-së Driton Selmanaj tha se për shkak të çështjes së praktikës do të ishte mirë që të formohej një grup punues brenda Komisionit.
“Po të kishte amendamente do të krijohej një grup punuese ku do të trajtoheshin ato”.
Edhe deputeti Hydajet Hysenaj tha se do të duhej që të kishte një grup punues para kalimit në lexim të dytë të këtij ndryshimi.
Komisioni gjithashtu rekomandoi që të miratohet në parim Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Përgjegjësinë̈ Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.