Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur prezanton raportin vjetor 2023

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur prezanton raportin vjetor 2023

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka prezantuar sot raportin vjetor 2023, me ç’rast u prezantua puna, sfidat dhe bashkëpunimi me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë, në kuadër të procesit për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me forcë.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tha se Çështja e personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë, është një çështje aktuale dhe permanente deri në zgjidhjen e plotë të saj.

‘’Mungesa e përgjigjes për fatin dhe vendndodhjen e më shumë se 1600 personave të zhdukur, rëndon jetën e familjeve dhe normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Edhe 24 vjet pas lufte, jetojmë në ankthin e pritjes. Ato shumë varre të hapura, të zbrazëta, anembanë Kosovës, ku nuk i kemi më të dashurit tuaj, më të dashurit tanë, janë dëshmi e madhe e gjenocidit të Serbisë’’, u shpreh ai.

Jo vetëm personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës, por edhe familjet e tyre janë viktima të këtij krimi të vazhdueshëm, tha kryeministri, krim ky që sipas tij e tejkalon dimensionin e brengës së familjeve të tyre, duke qenë brengë e Kosovës mbarë. Sepse çështja e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës, nuk është çështje statistike, por është problem kombëtar shtetëror e humanitar.

Duke i falënderuar të gjithë për përkrahjen përgjatë gjithë vitit lidhur me zbardhjen e fatit të të zhdukurve, Kryetari i Komisionit për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, tha se kjo e shumëfishon impaktin e angazhimeve tona me arritjen e qëllimit të përbashkët që kemi, duke qenë se ky proces, është një proces i përbashkët i yni me një shtrirje të gjerë, interes kombëtar dhe qëllim humanitar.

Related Articles