Projekti “Bota serbe” nuk i kënaq apetitet vetëm me territoret që ka Serbia sot, por synon t’i gllabërojë edhe shtetet fqinje.
Raporti i Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut thotë se Rusia e ka shfrytëzuar me mjeshtëri frustrimin e elitës serbe pas disfatave të viteve ’90 dhe humbjes së Kosovës.
Në këtë kontekst, projekti shtetëror i Serbisë i ashtuquajturi “Bota Serbe” sipas raportit me disa autorë, me redaktore aktivisten Sonja Biserko, tregon se si regjimi i Vuçiqit po do ta rishikojë historinë e së kaluarës përmes kontrollit të mediave, arsimit, institucioneve kulturore dhe lidhjeve shpirtërore me serbët në rajon.
“… Ky projekt nuk do të ishte i mundur pa tolerancën e Perëndimit. Në përpjekje për ta mbajtur Serbinë në anën e tyre, fuqitë perëndimore shpesh kanë mbyllur sytë ndaj rolit destruktiv të Beogradit në Bosnje e Hercegovinë, Mal të Zi, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Një politikë e tillë kompromisesh e ka forcuar regjimin, duke i dhënë atij legjitimitet ndërkombëtar pa reforma reale”.
Serbia e vitit 2025 e udhëhequr nga Aleksandar Vuçiqi, i cili është i afërt me Rusinë e Putinit dhe Kinën, sipas raportit ka pushtet autoritar, korrupsion dhe neutralitet të rremë i cili po sfidohet nga protestat studentore.
Komiteti i Helsinkit flet për qasjen pozitive që BE e sidomos Gjermania ka pasur vazhdimisht ndaj Vuçiqit në emër të stabilitetit. Kjo edhe pas afërsisë me shtete autoritare, me destabilizimin e rajonit, përfshirë edhe sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.
“… Shtrohet pyetja se sa gjatë mund të ruhet ky iluzion, ndërsa Serbia thellohet në autoritarizëm dhe lojëra gjeopolitike që cenojnë interesat e BE-së, siç ilustrojnë vizitat e Vuçiqit në Moskë dhe Pekin. Protestat nuk do të ndalen, dhe dhuna e regjimit mund të rritet. Kjo kërkon një ndryshim sistematik në qasjen e BE-së, veçanërisht të Gjermanisë, ndaj Serbisë. Është e nevojshme të thyhet perceptimi se BE-ja është e dobët përballë autoritarizmit të Vuçiqit”.
Raporti i Helsinkit thekson se Kisha Ortodokse Serbe është bërë një nga akterët më të rëndësishëm në përpjekjet për rritjen e ndikimit serbo-rus në rajon, sidomos në Kosovë.
Ilustrim i këtij ndikimi është takimi i patriarkut serb Porfirije me presidentin rus Vladimir Putin më 22 prill 2025 në Moskë