Komiteti Olimpik Ndërkombëtar e ka paralajmëruar Serbinë me ndalesë të organizimit të ngjarjeve të mëdha sportive nëse nuk e lejon pjesëmarrjen e garuesve nga Kosova.
Padrejtësive të Serbisë karshi Kosovës në sport duket se po iu vjen fundi. Shteti fqinj e ka marrë një paralajmërim të ashpër nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar.
IOC ia ka ngrehur veshin Serbisë dhe Malajzisë, të cilët po refuzojnë t’i lejojnë sportistët nga vende të caktuara për të marrë pjesë në garat që i organizojnë ato.
Shtëpia e sportit ndërkombëtar i ka kërcënuar këto dy shtete me ndalesë të organizimit të ngjarjeve të mëdha sportive nëse e përsërisin gabimin për arsye politike.
OC-ja u ka dërguar letra të dyja Komiteteve Olimpike Nacionale duke ua bërë me dije paralajmërimin nëse vazhdojnë me politika të njëjta, shkruan “insidethegames”.
Qeveria serbe ia pamundësoi Kosovës të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit, i cili u mbajt disa javë më parë.
IOC-ja ka kërkuar nga Komitetit Olimpike Nacionale të Serbisë dhe Malajzisë që ta zgjidhin çështjen me Qeveritë përkatëse.
Me këtë rast, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka kërkuar që të gjithë sportistët të konsiderohen të barabartë dhe të respektohen njëjtë.
Në letër tutje shkruhet se tash e tutje IOC-ja do të jetë mjaft vigjilente para se t’ua japë organizimin e ngjarjeve sportive shteteve të caktuara.
Boksierëve kosovarë në fakt iu ndalua futja në territorin serb tri herë brenda 24 orësh.
Ky vendim ishte kritikuar nga Federata Ndërkombëtare Boksit dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. IOC-ja madje e kishte kritikuar IBA-n që ia ka dhënë Serbisë të drejtën e organizimit të Botërorit të Boksit pa e sqaruar çështjen me Kosovën.
As në të kaluarën, sportistët kosovarë nuk janë lejuar të futen në territorin serb. Malajzia ndërkohë ka probleme me Izraelin dhe nuk i lejon garuesit e këtij vendi të futen në territorin e saj.
Edhe Irani e kishte një problem të tillë me sportistët izraelitë.