Kompania amerikane Yahoo tërhiqet nga Kina

Kompania amerikane Yahoo tërhiqet nga Kina

Kompania amerikane Yahoo njoftoi se po tërhiqet nga Kina, duke përmendur mjedisin gjithnjë e më sfidues të biznesit dhe aspektin ligjor.

Kompania deklaroi se qasja në paketën e saj të shërbimit nuk do të jetë më e mundur nga Kina kontinentale nga 1 nëntori.

“Yahoo mbetet i përkushtuar ndaj të drejtave të përdoruesve të tij dhe internetit të lirë dhe të hapur”, thuhet në deklaratë.

Tërheqja e kompanisë përkon me hyrjen e djeshme në fuqi të Aktit të Mbrojtjes së të Dhënave Personale të Kinës, i cili përcakton se çfarë informacioni mund të mbledhin kompanitë dhe vendos standarde për ruajtjen e tyre.

Yahoo më parë reduktoi operacionet në Kinë dhe në 2015 mbylli zyrën e saj në Pekin. Tërheqja e kësaj kompanie nga Kina është kryesisht simbolike sepse disa nga shërbimet e saj, duke përfshirë faqen, tashmë janë të bllokuara në atë vend.

Autoritetet kineze nuk heqin dorë nga kontrolli i rreptë i internetit dhe po kërkojnë që kompanitë që operojnë në atë vend të censurojnë përmbajtjen dhe fjalët kyçe që konsiderohen politikisht të ndjeshme ose të papërshtatshme.

Kina ka bllokuar shumicën e rrjeteve sociale ndërkombëtare dhe motorëve të kërkimit, si Facebook dhe Google. Përdoruesit në Kinë që duan të aksesojnë këto shërbime e anashkalojnë bllokadën duke përdorur të ashtuquajturin rrjet privat virtual (VPN). /Gazeta “Enigma”/

Related Articles