Komuna e Obiliqit, përkatësisht Drejtoria e Administratës, ka marrë vendim që të punohet pa pauzë duke filluar nga dita e nesërme e deri më 31 gusht, kjo për shkak të fluksit të punës me ardhjen e mërgimtarëve, raporton Gazeta Enigma.
Këtë e ka bërë të ditur drejtoresha e Administratës së Përgjithshme në Komunën e Obiliqit, Linda Bekteshi, përmes një postimi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook.
“Nga nesër e deri me datë 31 gusht, Administrata Komunale do të jetë në shërbim të qytetarëve edhe gjatë kohës së pauzës. Zgjatja e orarit është bërë për shkak të rritjes së fluksit me ardhjen e diasporës. Ne mbesim të përkushtuar të ofrojmë shërbime sa më cilësore për të gjithë qytetarët. Mirë se vini, bashkatdhetarë!”, shkroi Bekteshi.