Ndërmarrja Rajonale e Pastrimit “Pastrimi” ka bërë të ditur se ka marrë një zotim nga Komuna e Prishtinës për pagesën e borxheve që i detyrohet për shërbimin e grumbullimit të mbeturinave në kryeqytet.
Në njoftimin e ndërmarrjes thuhet se kjo pagesë lidhet me një obligim financiar të konfirmuar me vendim gjyqësor, ku është njohur vlefshmëria e kontratës dhe e shërbimeve të kryera nga “Pastrimi” për më shumë se katër muaj pa ndërprerje.
“Ky obligim financiar është i konfirmuar me vendim gjykate, e cila njeh vlefshmërinë e kontratës dhe punës së kryer nga ‘Pastrimi’”, thuhet në reagim.
KRM “Pastrimi” ka rikujtuar se pagesa e mbeturinave duhet të bëhet drejtpërdrejt tek kjo ndërmarrje, sipas rregullores së Kuvendit Komunal, vendim i cili është i validuar edhe nga Gjykata Supreme e Kosovës.
Sipas zotimit të dhënë nga Komuna, pagesa prej 2.5 milionë eurove do të realizohet përmes procedurës së ndërmjetësimit ose përmes gjykatës, brenda një afati prej më së largu dy javësh.
Nga ndërmarrja është kërkuar që ky zotim të formalizohet dhe të nënshkruhet sa më parë, në mënyrë që të garantohet stabiliteti financiar, mbrojtja e të drejtave të punëtorëve dhe ofrimi i pandërprerë i shërbimeve për qytetarët.
Në fund, KRM “Pastrimi” ka falënderuar punëtorët për qëndrimin e tyre të palëkundur dhe qytetarët për mirëkuptimin dhe përkrahjen gjatë kësaj periudhe të vështirë.