Komuna vendos për rrënimin e objektit të vjetër të shkollës në Orllan

Komuna vendos për rrënimin e objektit të vjetër të shkollës në Orllan

Zyrtarët komunalë të Podujevës kanë marrë vendim për rrënimin e objektit të vjetër të shkollës në fshatin Orllan. Rrënimi tashmë edhe ka nisur. Zyrtarët komunalë kanë thënë se kjo ka qenë kërkesë edhe banorëve.

“Këtyre ditëve ka filluar të rrënohet objekti i shkollës së vjetër në Orllan, kjo ka qenë edhe kërkesë e banorëve, këshillit të prindërve dhe stafit të shkollës të kësaj zone. Meqenëse ky objekt ishte i pambrojtur nga objektet e trashëgimisë kulturore dhe brenda tij sipas informatave që kemi pranuar nga banorët zhvilloheshin edhe dukuri devijante, e kemi vlerësuar si vendimin më të drejtë për ta rrënuar këtë objekt”, ka thënë zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia.

KOHA ka raportuar edhe në muajin mars të këtij viti për këtë objekt të vjetër, për të cilin përfaqësues të shkollës dhe banorë të fshatit Orllan alarmonin për rrezikun që u kanosej nxënësve që vijojnë mësimin në objektin e ri të shkollës “Zahir Pajaziti” që është në të njëjtin oborr.

Ata kërkonin nga ekzekutivi komunal që ta dërgojë një ekip të inxhinierëve për ta vlerësuar qëndrueshmërinë e këtij objekti se a i plotëson kushtet për rinovim apo duhet rrënuar.

Drejtori i kësaj shkolle, Naim Bajrami, kishte thënë se nxënësit rrezikohen nga tjegullat që mund të biejnë nga kulmi.

“Me marrjen e mandatit në prill të vitit të kaluar jam marrë me këtë problematikë të objektit të shkollës së vjetër. Kam kërkuar nga Komuna, nga Drejtoria Komunale e Arsimit, edhe nga kryetari i Komunës që ta dërgojnë një ekip të inxhinierëve për mbikëqyrjen se a është funksionale për me iu ndërrua destinimin, pra a është në gjendje që kësaj t’i ndërrohet destinimi, sepse me plan zhvillimor mundemi me ia ndërrua destinimin shkollës”, kishte deklaruar Naim Bajrami.

“E para, kam frikën që tjegullat kanë filluar të lëvizin dhe mund të ndodh që të pëson ndonjë nxënës nga një fatkeqësi, që nuk e dëshirojmë as ne, as komuna, as prindërit tanë. E dyta, në oborr kemi edhe qen endacakë që mund të ketë rrezik prej tyre se strehohen në objektin e shkollës. Dukuri tjetër mund të jetë edhe të rinjtë që vijnë verës që për shkak të zonës së liqenit frekuentohet edhe nga qytetet e ndryshme, që mund të bëhen edhe dukuri negative”, ishte shprehur drejtori i Shkollës fillore “Zahir Pajaziti”.

Naim Bajrami thotë se nëse mund të rinovohet ky objekt, atëherë do të mund të shfrytëzohej për rekreacion, qendër trajnuese, por edhe të vihej në kuadër të Kompleksit “Zahir Pajaziti”.

Edhe kryetari i Këshillit Drejtues të kësaj Shkolle, Shefqet Pajaziti, kishte thënë se kanë bërë kërkesë disa herë në Komunën e Podujevës që të ndërmarrë diçka rreth këtij objekti.

“Ky objekt i rrezikon edhe fëmijët, se si po shihet edhe është i vjetër, edhe mund të bien tjegullat, po edhe s’ka dyer as dritare dhe çdoherë është rrezik për fëmijë. Kështu që është mirë të marrim preventivën para se me ndodhë rasti, se kur të ndodhë rasti atëherë është e kot”, kishte thënë ai.

Rrezik për nxënësit këtë objekt e shihte edhe drejtori ekzekutiv i OJQ “Sundimi i Demokracisë në Kosovë”, Rexhep Zeka.

“Ne kudo që na u ka dhënë mundësia kemi rekomandua që këtij objekti t’i gjendet një zgjidhje: ose të rrënohet ose të rinovohet dhe t’i ndërrohet destinacioni”, kishte theksuar Zeka.

Related Articles