Komunikimet e reja: Nazim Bllaca kërkonte 500 euro në muaj për zbardhjen e rastit “Nish Express”

Komunikimet e reja: Nazim Bllaca kërkonte 500 euro në muaj për zbardhjen e rastit “Nish Express”

Zbulime të reja për përfshirjen e Nazim Bllacës në raste hetimore janë publikuar.

Dokumente dhe komunikime të siguruara nga Debat Plus zbulojnë se Bllaca kishte kërkuar kompensim financiar mujor në këmbim të ndihmës për zbardhjen e rastit të njohur si “Nish Express”, që lidhet me një ngjarje të ndodhur në vitin 2001.

Sipas dokumenteve, Bllaca i është drejtuar një personi me mbiemrin Gjinoviq – i cili nuk duket të jetë zyrtar i EULEX-it – duke i kërkuar 500 euro në muaj në këmbim të bashkëpunimit dhe sigurimit të dëshmitarëve për rastin në fjalë. Në një komunikim të datës 6 maj 2015, Bllaca paralajmëron se pa pagesë nuk do të vazhdojë më asnjë bashkëpunim:

“Nëse ju nuk keni interes të më jepni pagesën mujore edhe për 3-4 muaj, ne nuk kemi nevojë të punojmë në rastin e Nis Expressit pa ndonjë stimulim financiar mujor”, thuhet në një pjesë të emailit të tij.

Bllaca gjithashtu përmend se pagesa e parë ishte bërë më 6 prill 2015, por që nuk ishte vazhduar më tej.

Nga ana tjetër, personi që i përgjigjet Bllacës, me një email të nënshkruar si Kujtim Shehu, pranon bashkëpunimin si proces, por i kërkon atij durim. Në të njëjtën kohë, përdor tone të ashpra ndaj Bllacës:

“Nëse ti je të padurueshëm, unë do të vij atje për të rrahur,” thuhet në një pjesë të mesazhit të tij.

Komunikimet ndërmjet palëve vazhdojnë dhe qendrojnë të fokusuara kryesisht te kërkesat financiare të Bllacës. Në një nga email-et e tjera, ai thekson se ka qenë vetë iniciator i hapjes së rastit “Nish Express” në dhjetor të vitit 2014:

“Z.Gjinoviq, procesin e Nis Expressit e kam filluar nga dhjetori i vitit 2014. Ju kam treguar se nëse më ndihmoni financiarisht me nga 500 euro në muaj, unë do të ju ndihmoj.”

Në komunikimin e fundit, Bllaca paralajmëron prerazi se nuk do të vazhdojë asnjë kontakt nëse nuk i kryhen pagesat. Ai gjithashtu pretendon se pa përfshirjen e tij, është i pamundur avancimi i rastit, duke e cilësuar veten si “iniciator të hapjes së çështjes”.

Publikimi i këtyre komunikimeve hedh dritë mbi mënyrën sesi Bllaca ka negociuar bashkëpunimin e tij me autoritetet dhe individë të përfshirë në hetime, duke ngritur pyetje serioze mbi mënyrën e menaxhimit të informatave dhe raportit mes dëshmitarëve bashkëpunues dhe institucioneve të drejtësisë.

Related Articles