Ish-ndihmëssekretari i Shtetit në administratën e Shteteve të Bashkuara gjatë viteve 1997-2000, James Rubin, edhe sot do ta vazhdojë dëshminë para Gjykatës Speciale, shkruan Gazeta “Enigma”.
Rubin si dëshmitar është thirrur nga mbrojtja e Hashim Thaçit, ku të hënën e 15 shtatorit dha dëshminë e tij për disa orë, ku foli rreth shumë çështjeve.
James Rubin është pyetur për Adem Demaçin, të cilin e krahasoi me Nelson Mandelan.
Avokati i Thaçit, Luka Misetiq, shfaqi një dokument, ku ishte një konferencë për media e mbajtur nga Albin Kurti, si sekretar i Adem Demaçit.
“Do të iu bëj edhe disa të tjera për Adem Demaçin. Kjo është një konferencë për shtyp e dhënë nga Albin Kurti që në atë kohë ishte sekretar i Demaçit. Titulli është “Asnjë vendim politik pa pëlqimin e Adem Demaçit”. “Albin Kurti tha në konferencë se Adem Demaçi ka udhëtuar me urgjencë në Lublanë”. A e dini pse Adem Demaçi ka udhëtuar më 24 shkurt në Lublanë?”, pyeti Misetiq.
“E kuptova pse kishte shkuar të takohet me diplomatë në Slloveni dhe më vonë e kuptova, sepse me këtë rast pati bisedën me Albright”.
“Z.Kurti përgjigjet “nisja e delegacionit të Kosovës në Rambuje ka qenë gjest i vullnetit të mirë”. Shtoi se me këtë gjest “UÇK-ja ishte e gatshme të sakrifikonte diçka vetëm për të gjetur zgjidhje për Kosovën”. A përputhet kjo me atë që ndodhi si përvojë në Rambuje, që delegacioni shkoi por thanë se nuk kishin autoritetin?”, shtoi avokati.