Ushtruesi i detyrës së komandantit të Stacionit Policor Verior, majori Goran Zhivkoviq, në seancën e sotme të Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore ka konfirmuar se ekziston një listë e serbëve të dyshuar për krime të rënda dhe se ftesat po u dorëzohen personave nga ajo listë.
Zhivkoviq, duke iu përgjigjur pyetjeve të këshilltarëve nëse ka lista në të cilat ftohen pjesëmarrësit në protestat e shtatorit të vijnë në Prishtinë për intervistë, tha se listat nuk janë sekrete.
“Listat nuk janë sekrete, listat ekzistojnë dhe në njërën listë janë 58 persona, të dyshuar për shkelje të rendit kushtetues të Kosovës, në listën tjetër janë 14 persona të akuzuar për vrasje të rëndë në tentativë, pengim të funksionarëve dhe dy-tri krime të tjera”, tha Zhivkoviq.
Ai shtoi se oficerët e policisë janë duke punuar në dhënien e thirrjeve për personat në ato lista.
“Policët janë duke punuar në thirrjet për këta persona dhe deri më tani askush nuk është përgjigjur në këto thirrje. Në listë janë personat që jetojnë në komunat e Mitrovicës Veriore, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut. Policët tanë bëjnë vetëm thirrje. Personat që marrin thirrje duhet të paraqiten për intervistë në Prishtinë”, tha Zhivkoviq, teksa shtoi se nuk ka informacione se në cilën periudhë janë kryer veprat për të cilat thirren qytetarët.