Konfirmohet rasti i parë me linë e majmunit në Kosovë

Konfirmohet rasti i parë me linë e majmunit në Kosovë

Kosova ka konfirmuar rastin e parë me linë e majmunit. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë së Publike të Kosovës njoftoi se më 26 dhjetor, Laboratori i Mikrobiologjisë, përmes metodës RT-PCR, ka identifikuar një rast të importuar të Mpox, i njohur më parë si Lija e majmunëve.

Sipas IKSHPK-së, personi i infektuar ishte kthyer nga një shtet afrikan dhe aktualisht është spitalizuar në Klinikën Infektive. Ai ndodhet në gjendje stabile shëndetësore, shkruan Gazeta Enigma.

“Rasti i gjinisë mashkullore (30 vjeç), shtetas i Republikës së Kosovës, është spitalizuar në Klinikën Infektive/QKUK me datë 24.12.2024, pas kthimit nga një shtet i Afrikës Perëndimore, me simptoma si temperaturë, ethe, ndryshimet në lëkurë, në fytyrë, në duar dhe kruarje”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së. 

IKSHPK i ka gjurmuar të gjitha kontaktet e deklaruara të personit të infektuar dhe të familjarëve të tij, të cilëve u janë dhënë rekomandimet për masat e parandalimit dhe të kontrollit të infeksionit. 

IKSHPK ka bërë thirrje për kujdes të qytetarëve, pasi personat që preken nga Mpox zakonisht përjetojnë simptoma të lehta apo mesatare që zgjasin dy deri në katër javë, dhe shërohen plotësisht.

“Edhe pse duhet vigjilencë, nuk ka vend për panik”, thuhet në njoftim./GazetaEnigma/

Related Articles