Konfiskimi i pasurisë/ Ky është qëndrimi i deputetëve të opozitës

Konfiskimi i pasurisë/ Ky është qëndrimi i deputetëve të opozitës

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e fundit për këtë vit ka miratuar Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Ky projektligj synon verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar të personave zyrtarë, familjarëve të tyre dhe personave të ekspozuar politikisht.

Njëkohësisht projektligji garanton respektim të drejtave të palëve në procedurë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe dokumentet ndërkombëtare.

Byroja nuk do të merret me të gjithë qytetarët, por vetëm me zyrtarë e ish-zyrtarë të institucioneve të Kosovës.

Por, nuk mjafton vetëm votimi i tij në Qeveri.

Ky projektligj duhet të kalojë edhe në Komision për Legjislacion e nga i cili është kërkuar dëgjim publik, e pas miratimit në të, atëherë ky projektligj duhet të marrë edhe dritën jeshile nga Kuvendi i Kosovës.

Por si po e sheh opozita këtë projektligj?

Deputeti i PDK-së: Ligji për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë të bëhet sipas ligjeve të BE-së

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherit anëtar i Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hajdar Beqa ka thënë se pa e parë draftin e tij nuk mund ta komentoj.

“Ende nuk e kemi parë materialin, ende nuk ka ardh ligji në Kuvend, kur të vjen në Kuvend pastaj ne do ta japim mendimin tonë, nuk mundem tani të them diçka për të cilin nuk kam informatë më shumë përveç çka jam njoftu nga mediat. Nuk kemi qëndrim për momentin, formën e draft-ligjit që e propozon Qeveria”, është shprehur Beqa.

Ndërsa, deklaron se një ligj i tillë i duhet Kosovës.

Derisa, ka një kërkesë për hartimin e tij.

“Por, mendoj se një ligj i tillë i duhet Kosovës, por një ligj që është në harmonizim edhe me ligjet e Bashkimit Evropian do të thotë me vendet të cilat kanë kalu fazën të cilin po e kalon sot edhe Kosova”, ka deklaruar deputeti Beqa.

Xhavit Haliti: S’jam kundër ligjit për konfiskim të pasurisë, të respektohen të drejtat e njeriut

Kurse, njëri prej deputetëve më të pasur të PDK-së, Xhavit Haliti, ku pasuria e tij kap vlerën milionëshe thotë për FrontOnline se nuk është kundër këtij ligji nëse miratohet në Kuvend.

Por, kërkon që në këtë çështje të respektohen të drejtat e njeriut.

“Ata dëshirojnë le ta bëjnë. Unë po besoj se kjo varet edhe a e miraton ligjin Parlamenti, por sidoqoftë është mirë që të respektohen të drejtat e njeriut dhe të respektohen ligjet në Kosovë cilado qofshin ato. Në qoftë se ky ligj miratohet nga Kuvendi nuk kam asgjë kundër”, ka deklaruar Haliti.

Deputetja e LDK-së: Jemi pro konfiskimit të pasurisë në mënyrë ilegale për të gjithë zyrtarët

Edhe deputetja milionere e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku-Rexhepi është pro konfiskimit të pasurisë të të gjithë zyrtarëve të cilët në një mënyrë ose tjetër posedojnë mjete ilegalisht.

Bunjaku-Rexhepi në një prononcim për FrontOnline, thotë se e gjithë pasuria e paligjshme e zyrtarëve duhet të hetohet.

“Kush ka pasuri të paligjshme le të hetohet dhe të veprohet sipas ligjeve. Projektligjin të cilin e ka miratu Qeveria, duhet me ardhë në Kuvend, duhet me u votu. Në momentin që vjen në Kuvend ne si deputetë të LDK-së, do ta japim kontributin tonë, por njëkohësisht jemi për konfiskimin e pasurisë të të gjithë zyrtarëve të cilët kanë mjete të paarsyeshme apo edhe në mënyrë ilegale”, është shprehur ajo për FrontOnline, përcjellë Gazeta “Enigma”.

Votimin e projektligjit  nga Qeveria e Kosovës për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, nuk ka dashur ta komentojë njëri prej deputetëve të koalicionit qeverisës.

Erxhan Galushi ka deklaruar se pasi që ta sheh draftin e këtij projektligji mund të flasë për këtë çështje.

“Ende nuk ka ardh në komision, pasi të vjen në komision do të mund ta komentojmë vendimin”, ka thënë shkurt ai.

Miratimin e këtij projektligji e ka mirëpritur edhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca.

“E mirëpres votimin nga Qeveria e Republikës së Kosovës të projektligjit për themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme”, ka shkruar Konjufca në Facebook.

Ai thotë se do të kujdeset që ky ligj të trajtohet me prioritet.

“Si kryetar i Kuvendit do të kujdesem që, për shkak rëndësisë së këtij ligji, ai të trajtohet me prioritet”.

I pari i Kuvendit thotë se pasuria e pajustifikueshme duhet të konfiskohet dhe t’iu kthehet qytetarëve./Gazeta “Enigma”/

Related Articles