Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në Kosovë. Por në këto raste të denoncuara, shpesh herë viktima janë prindërit të cilët detyrohen të raportojnë për dhunën që përjetojnë nga fëmijët e tyre.
Një rast i tillë ka ndodhur dje në një familje në Prizren, ku një burrë ka kërkuar ndihmën e Policisë, duke e raportuar djalin e tij për dhunë fizike.
Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur në shtëpinë e tyre dhe nisi pas një mosmarrëveshje që eskaloi në sulm, ku për pasojë është përfshirë edhe viktima.
Sipas informacioneve të para, pasi situata është tensionuar, edhe babai, në vetëmbrojtje e ka sulmuar të birin dhe më pas e ka lajmëruar Policinë.
Me të marrë informatën, njësitet policore janë vënë në lëvizje me ç’rast kanë arrestuar personin e dyshuar, i cili është shoqëruar në stacion për intervistim.
Gjatë dhënies së dëshmisë, i dyshuari e ka mohuar të ketë ushtruar dhunë fizike ndaj babait të tij, duke pohuar se kanë pasur vetëm konflikt verbal.
Me t’u përfunduar procedurat e nevojshme, me urdhër të prokurorit, ndaj te dyshuarit është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje’.