Numri i rasteve të dhunës në vendin tonë është në rritje çdo ditë e më shumë. Çdo ditë gra që përjetojnë dhunë nga familjarët e tyre, kryesisht bashkëshortët, kërkojnë ndihmën e Policisë për të marrë mbrojtje dhe për të zgjidhur problemet.
Në Polici kanë përfunduar dje edhe një çift nga Ferizaj, pasi dyshohet se burri ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë zbardhur detaje nga deklarata e viktimës, e cila ka thënë se gjithçka ka ndodhur pas një konflikti verbal, e që më pas i shoqi e ka goditur me grushte.
Si pasojë e dhunës, 37-vjeçarja ka marrë lëndime trupore dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital.
Ndërkohë i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor ku është përballur me denoncimin ndaj tij.
Me urdhër të prokurorit, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.