Konfliktet mes vëllezërve në qytetet e ndryshme të vendit, shpeshherë përfundojnë me sharje e ofendime ndaj njëri-tjetrit e madje me raste eskalojnë në kërcënime e përleshje fizike. E në të shumtën e rasteve mosmarrëveshjet lidhen me ndarjen e pasurisë.
Një rast i tillë ka ndodhur në fshatin Pozharan të Vitisë, ku dy vëllezërit Terziu dyshohet se janë përfshirë në një konfrontim fizik.
Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur para shtëpisë së viktimës, i cili ka deklaruar para organeve të hetuesisë se vëllai i tij ka ardhur dhe e ka ofenduar fillimisht me fjalë, e më pas edhe e ka sulmuar fizikisht duke e goditur me grushte e shqelma.
Dy vëllezërit kanë dhënë dëshmitë e tyre në stacion policor, ku kanë bërë me dije se konflikti ka ndodhur për shkak të trashëgimisë së pasurisë familjare.
Me urdhër të prokurorit, 54-vjeçari është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet për veprën penale ‘Dhunë në familje’.