Prej javësh po spekulohet për një sulm amerikan kundër Iranit. Prandaj tani gjithnjë e më shumë shtete evropiane po reduktojnë personelin e tyre ushtarak në rajon dhe paralajmërojnë nështetasit e tyre.
Pavarësisht negociatave mes SHBA-së dhe Iranit shqetësimi për një luftë të mundshme po rritet. Presidenti amerikan Trump i bëri sërish thirrje udhëheqjes në Teheran për të pranuar kërkesat e SHBA-së dhe përmendi një afat nga 10 deri në 15 ditësh, sepse përndryshe sipas Trumpit “do të ndodhin gjëra të këqija”.
Për shkak të frikës për një sulm të mundshëm amerikan ndaj Iranit, shtetet evropiane po marrin masa sigurie për personelin e tyre ushtarak në Lindjen e Mesme. Pas Gjermanisë, edhe Norvegjia ktheu në atdhe disa nga rreth 60 ushtarët e saj në rajon. Kjo bëhet për shkak të situatës së sigurisë, njoftoi një zëdhënës i forcave të armatosura norvegjeze.
Bundeswehri ka reduktuar personelin në rajon
Një zëdhënës i Ministrisë gjermane të Mbrojtjes sqaroi në Berlin se Bundeswehri e ka reduktuar më tej personelin e tij në Erbil të Irakut. Në koordinim me partnerët gjatë javëve të fundit misioni është zvogëluar në mënyrë të vazhdueshme. Aktualisht në terren ndodhet vetëm “personeli absolutisht i domosdoshëm”, ndërsa pjesa tjetër është kthyer në Gjermani përmes Jordanisë, tha ai.
Ministria e Jashtme u bën thirrje gjermanëve të largohen nga Irani
Ministria e Jashtme gjermane u bëri “shprehimisht” thirrje shtetasve gjermanë që të largohen nga Irani. Sipas një zëdhënësi ende ka fluturime komerciale për t’u larguar nga vendi, ndërsa është e mundur edhe dalja përmes rrugëve tokësore.
Sipas listës për parandalimin e krizave të Ministrisë së Jashtme gjermane, aktualisht në Iran ndodhen ende disa qindra shtetas gjermanë. Ambasada gjermane në Teheran nuk është po punon me kapacitet të plotë personeli dhe për këtë arsye mund të ofrojë vetëm ndihmë të kufizuar konsullore.
