Në fund të audiencës së Jubileut, Papa Leo XIV bëri një apel për paqe, duke shprehur shqetësimin për përkeqësimin serioz të situatës mes Iranit dhe Izraelit.
“Në këto ditë, po vijnë lajme shumë shqetësuese. Situata në Iran dhe Izrael është përkeqësuar seriozisht,” tha ai.
Papa vazhdoi më tej duke apeluar për përgjegjësi dhe arsye, duke theksuar rëndësinë e angazhimit për një botë më të sigurt dhe paqësore.
“Në një moment kaq delikat, dëshiroj të ripërtërij një apel për përgjegjësi dhe arsye. Angazhimi për të ndërtuar një botë më të sigurt, të lirë nga kërcënimi bërthamor, duhet të ndiqet përmes takimeve respektuese dhe dialogut të sinqertë për të ndërtuar një paqe të qëndrueshme, të bazuar në drejtësi, vëllazëri dhe të mirën e përbashkët.”, tha ai.
Sipas Papës, çdo kërcënim ndaj ekzistencës së një kombi është i papranueshëm.
“Askush nuk duhet të kërcënojë kurrë ekzistencën e një tjetri. Është detyrë e të gjitha vendeve të mbështesin kauzën e paqes, duke nisur rrugën e pajtimit dhe duke promovuar zgjidhje që garantojnë siguri dhe dinjitet për të gjithë!”, tha mes të tjerash.