Konfrontimi i Bislimit me gazetarët, Çitaku: Pavarësinë ju e keni përbuzur me vite

Konfrontimi i Bislimit me gazetarët, Çitaku: Pavarësinë ju e keni përbuzur me vite

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, iu është kundërpërgjigjur zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, pasi ky i fundit akuzoi mediat se më shumë po interesohen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe sesa përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Çitaku ka përkujtuar të bëmat e Lëvizjes Vetëvendosje në opozitë, të cilët nuk kanë respektuar simbolet shtetërore të Kosovës, nuk janë ngritur në këmbë sa herë është intonuar himni i Republikës dhe nuk kanë qenë pjesëmarrës në Kuvendin e Kosovës edhe në përvjetorin e pavarësisë.

“Sinqetisht, për keqardhje jeni bërë. Pavarësinë e Kosovës ju e keni mohuar dhe përbuzur me vite, duke u tallur edhe me simbolet shtetërore. Ne pavarësinë e kemi festuar gjithmonë. Lojalitetin ndaj Republikës nuk na e dikton pozita e përkohshme politike”, deklaroi Çitaku.

“Ndërkohë, tregoni a doni me i ndërru fjalët për Asociacionin njejtë sic i keni ndërruar fjalët për çdo gjë deri më tani? A po të nxen gjumi?”, tha ajo.

Bislimit në konferencën e së mërkurës nuk i ka pëlqyer pyetja për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

“Asociacioni po ju intereson më shumë se festimi i Ditës së Pavarësisë – edhe nuk e di pse po e merrni guximin me thënë edhe për dëgjuesit tonë se kjo është më e rëndësishme. S’e besoj që për dëgjuesit tuaj është më i rëndësishëm Asociacioni sesa 17 shkurti apo 5,6 dhe 7 marsi”, iu drejtua ai gazetarëve. 

Related Articles