Kryekuvendari Glauk Konjufca ka komentuar për mospajtimet mes presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti e ministres së Jashtme Donika Gërvalla, duke thënë se kjo ka nodhndur “për shkak të largësisë me siguri”, njofton Gazeta Enigma.
“Unë e kam kuptuar këtë si një pamundësi që të njoftohet Presidentja për çdo hollësi nga ana e Ministrisë së Jashtme, e kjo kam hamendësuar që ka mundur me ndodhë për shkak të vizitës që ajo e kishte në SHBA e për shkak të largësisë me siguri”, tha Konjufca para mediave.
Osmani kishte kundërshtuar letrën që Gërvalla ia dërgoi Këshillit të Evropës, ku thoshte se Qeveria do të dërgojë draftin e saj të Asociacionit deri në fund të muajit maj.
Konjufca tha se jo çdo hollësi “e cila ndryshonte çdo minutë, në ditën e votimit të Këshillit të Ministrave për Këshill të Evropës mund të ndahet dhe koordinohet”.
“Pra unë nuk shoh mosvullnet nga ana e Qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme që të bëj diçka te qëllimshme kundër Presidentes. Ka qenë thjeshtë teknikisht një largësi e madhe gjë që ka pamundësi që ndryshimet çdo minutë që i ka bërë Qeveria e Kosovës, të arrijnë të krijojnë atmosferën që Kosova të hynte në agjendë, nuk ka mundur t’i ndaj të gjitha me Presidencën, dhe Presidenca e ka pas reagimin e saj. E keni parë e ky reagim vjen me siguri si pasojë e asaj që ata kane menduar që çdo hollësi do duhej të ishte ndarë”, tha tutje Konjufca. /Gazeta Enigma