Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se plani i ri evropian i pesëshes diplomatike është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Sipas tij, nëse ndonjëherë propozohet një draft i Asociacionit, do të propozohet nga Kosova.
“Në një shikim sipërfaqësor, është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe kurrfarë niveli i pushtetit në Kosovë. Por edhe kjo nuk mendoj që është temë e negociatave me Serbinë. Nëse ndonjëherë ndodhë ndonjë draft i Asociacionit ai do të propozohet nga Republika e Kosovës, nëse ndodhë, nëse jo nuk do të propozohet fare dhe nuk do të ishte rezultat i negociatave. Rezultat i negociatave është marrëveshja e Ohrit e cila është pranuar nga Republika e Kosovës, por jo edhe nga Serbia”, ka thënë Konjufca.
Sipas tij, për Asociacion nuk duhet negociohet, nuk është asociacioni temë qendrore e negociatave me Serbinë.
“Ai është si një marrëveshje e më hershme e vitit 2013. Pas shkarkimit të grupit i cili e ka pasur për qëllim për të propozuar një draft të asociacionit, e cila ka ndodhur, por ajo ishte një formë e kamufluar e Republikës Serbë, u refuzua nga Kosova dhe ky grup u shkarkua nga ana e qeverisë. I takon Kosovës, nëse mendon që mund të bëhet një asociacion në përputhje të plotë me Kushtetutën, pa kompetenca ekzekutive atëherë është përgjegjësi e Kosovës, jo e Serbisë”, ka potencuar kryeparlamentari.
Kujtojmë se kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka pranuar që të zhvillojë takim me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe BE-së.