Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, sot bëri homazhe dhe vendosi lule pranë kompleksit memorial në Studime të Vushtrrisë, në nderim të 116 shqiptarëve të vrarë e masakruar 22 vite më parë nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe.
Kryekuvendari Konjufca, në një fjalë rasti, theksoi se kjo masakër shënon një akt të gjenocidit të ushtruar nga shteti i Serbisë mbi popullin shqiptar të Kosovës. Ai tha se në masakrën e Studimes dora gjakatare e armikut nuk kurseu askënd e asgjë, duke vrarë e masakruar pamëshirshëm me qëllimin e vetëm që populli shqiptar i Kosovës të dëbohej nga trojet e të parëve, që Kosova të serbizohej e të spastrohej etnikisht.
“116 shqiptarët e vrarë, duke mos u kursyer as fëmijët, gratë e pleqtë, dëshmojnë se qëllimi i qartë i Serbisë ka qenë shfarosja e popullit shqiptar të Kosovës”, tha më tej Konjufca.
Tutje, kryekuvendari Konjufca ripërsëriti se martirët nuk mund të prehen të qetë, e as zemrat e familjarëve të tyre nuk mund të qetësohen, sepse ende nuk ka pasur drejtësi për gjenocidin e shkaktuar nga Serbia, e të cilin e kanë përjetuar banorët e Studimes, të Vushtrrisë dhe krejt populli shqiptar i Kosovës.
“Ne si institucione duhet të jemi në krye të detyrës, jo vetëm duke i përkujtuar martirët e rënë, por edhe të kërkojmë drejtësi, në mënyrë që kriminelët të dënohen e drejtësia të vihet në vend”, theksoi Konjufca.