Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka shtruar sonte iftar, për drejtuesit dhe personalitetet e Bashkësisë Islame të Kosovës.
Ai shkruan se kjo qe një mundësi tejet pozitive, për të ritheksuar rëndësinë e bashkëpunimit të mëtejmë mes tyre.
”Kjo ishte edhe një mundësi shumë e mirë për ta ritheksuar rëndësinë e ruajtjes dhe zhvillimin të mëtejmë të bashkëpunimit midis nesh mbi vlerat e respektit dhe dashamirësisë.
Kisha rastin që nga afër të shprehja mirënjohjen time për punën e Bashkësisë Islame të Kosovës, nga e cila kanë përfituar shumë sidomos qytetarët tanë në nevojë. Viti 2023 për BIK-un rezultoi një vit i suksesshëm në këtë mision të tyrin humanitar, me kontribute si shpërndarja e 28,015 pakove ushqimore dhe higjienike, 136 bursave për nxënës dhe studentë, 12,272 dhuratave dhe 15,597 veshmbathjeve, ndihmë për 120 familje të prekura nga vërshimet, 11 shtëpi të ndërtuara dhe 4 banesa për ata në nevojë, ndihma në ilaçe për 136 familje dhe shumë e shumë kontribute të tjera që tregojnë shembullin e mirë të përkushtimit dhe solidaritetit.
Po ashtu, është rasti të kujtojmë se përpara luftës në vendin tonë, në institucionet fetare islame janë mbajtur rreth 1230 tubime të karakterit politik, që kanë shërbyer për mbajtjen lart të angazhimit, ngritjen e moralit dhe mobilizimin politik të popullit tonë. Vlera e këtyre ndodhive është e pazëvendësueshme dhe pjesë e rrugës së popullit tonë në luftën për liri.
Uroj që kjo frymë e angazhimit dhe raportit shembullor të na shoqërojë gjithmonë, me përkushtim prej të cilit të përfitojnë shteti ynë dhe qytetarët tanë”.