Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka pritur sot në në takim ambasadorin e ri jorezident të Kuvajtit në Kosovë, Faisal Al-Musaileem.
Sipas njoftimit të Kuvendit, Konjufca uroi ambasadorin Al-Musaileem për detyrën e re dhe i shprehu mirënjohje për mbështetjen e Kuvajtit ndaj Republikës së Kosovës, për qasjen kontribuuese në sferën e politikës së jashtme, në veçanti për përkrahjen e aspiratave të shtetit tonë për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.
“Ambasadori Al-Musaileem e falënderoi Kryetarin Konjufca për pritjen dhe tha se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Kuvajtit duhet të zhvillohen në të gjitha sferat, përfshirë edhe fushën parlamentare.
Gjatë takimit, Kryetari i Kuvendit dhe ambasadori kuvajtian diskutuan po ashtu mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme, duke konsideruar se marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe nuk janë thjesht pikëmbërritje e përmbyllur por një potencial i rëndësishëm për avancimin e raporteve të gjithanshme ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Kuvajtit”, thuhet në njoftim.