Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca dhe delegacioni i Kuvendit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), zhvilloi sot një agjendë të pasur takimesh me drejtues të lartë të APKE-së, të grupeve politike e të komiteteve.
Në ditën e parë të vizitës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, në Strasburg të Francës, kryetari Konjufca, i shoqëruar nga nënkryetarja e Kuvendit dhe kryesuese e delegacionit, Saranda Bogujevci, si dhe anëtarët e tjerë, deputetët Enis Kervan, Besnik Tahiri dhe Ariana Musliu Shoshi, u prit në një takim të veçantë nga Presidenti e APKE-së, Tiny Kox dhe Sekretarja e Përgjithshme, Despina Chatzivassiliou.
“Po sot, kryetari Konjufca dhe delegacioni që e shoqëron, zhvilloi takime të ndara me Kryesuesin e Komitetit për Çështje Politike dhe Demokraci, Zsolt Németh, Kryesuesin e Grupit Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve për Evropën, Iulian Bulai, me deputetin nga radhët e delegacionit gjerman në APKE, Knut Abraham, si dhe me George Papandreu, nga radhët e delegacionit grek. Në këto takime u diskutua për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, rëndësinë dhe mbështetjen e nevojshme, për të siguruar që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, progresin në respektimin dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit, gjë që dëshmohet nga raporte ndërkombëtare, si dhe tema të tjera me interes për thellimin e bashkëpunimit me Këshillin e Evropës. Gjatë takimeve, u kuptua rëndësia dhe domosdoshmëria e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, përderisa kryetari Konjufca kërkoi mbështetje në këtë proces.”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë për media dhe marrëdhënie me publikun në Kuvendin e Kosovës.
Vizita në Strasburg po zhvillohet në kuadër të punimeve të seancës vjeshtore të APKE-së, e cila po mbahet në datat 23-27 janar 2023.
“Gjatë ditës së sotme para deputetëve me një fjalim u adresua kryetarja e delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, njëherësh nënkryetare e Kuvendit, Saranda Bogujevci. Znj. Bogujevci foli në emër të grupit të Socialistëve, Demokratëve dhe të Gjelbërve lidhur me dhunën seksuale në luftë dhe konflikt”, thuhet në njoftim.
Gjatë ditës së nesërme kryetari Glauk Konjufca do të zhvillojë një sërë takimesh të tjera me kryesues të grupeve dhe delegacione të parlamenteve të ndryshme, pjesëmarrëse në Asamble.