Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur të premten në takim Shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars-Gunnar Wigemark, ku të dyja palët u shprehën të gatshëm për bashkëpunim të ndërsjellë.
Konjufca ka njoftuar përmes një komunikate për medie, ku po ashtu thuhet se gjatë këtij takimi, vlerësoi se stabiliteti politik dhe zbatimi i ligjit janë çështje kruciale të cilat determinojnë dinamikën e zbatimit të agjendës parlamentare të miratimit të ligjeve.
“Bashkëbiseduesit diskutuan po ashtu lidhur me mandatin e EULEX-it dhe çështjet parësore të misionit të tij, si dhe shprehën gatishmërinë për bashkëpunim të ndërsjellë ndërmjet Kuvendit dhe EULEX-it në avancimin e legjislacionit dhe sundimit të ligjit në vend”, thuhet në komunikatë.
Njëherit u bë e ditur se Lars-Gunnar Wigemark uroi Konjufcën për detyrën e të parit të Kuvendit, duke e përgëzuar për konstituimin e suksesshëm të institucioneve të reja, të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit.
Wigemark rikonfirmoi gatishmërinë e misionit të EULEX-it për ndihmë në fushën e sundimit të ligjit brenda kompetencave të këtij misioni.
Konjufca ka falënderuar për urimin Wigemark dhe është shprehur mirënjohës për ndihmën që ka dhënë EULEX-i në konsolidimin e sistemit të drejtësisë, si dhe fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë, si një element kryesor drejt integrimit evropian por edhe si një prej prioriteteve të institucioneve të shtetit tonë.