Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike.
Një rast i tillë është zbuluar në Prizren, ku është mbajtur “Doku Fest” këto ditë, ku një vajzë është kapur në flagrancë me lëndë narkotike.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjatë kontrollit trupor, zyrtarët policorë kanë gjetur te 20-vjeçarja një sasi të substancës së dyshuar narkotike, të llojit marihuanë.
I dyshuara është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim, ndërsa droga është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj 20-vjeçares të iniciohet rasti nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.