Konvojet me ndihmë humanitare dhe autobusët për evakuimin e civilëve janë nisur gjatë së shtunës drejt disa qyteteve ukrainase.
Zyrtarët ukrainas kanë thënë se evakuimet po vazhdojnë në disa zona të banuara në rajonin e Kievit, edhe pse trupat ruse sulmuan një konvoj me civilë në fshatin Peremoha, duke vrarë shtatë persona.
Ndërkaq, zëvendëskryetari i Mariupolit, Serhiy Orlov, tha se ende po pret që të arrijë konvoji që është nisur nga Zaporizhja, edhe pse tha se ai është duke lëvizur shumë ngadalë.
Zaporizhja është rreth tre orë larg nga Mariupoli. Zyrtarët thanë se konvoji ishte nisur rreth tetë orë më parë.
Por, Orlov tha se ende e ka të pamundur të konfirmojë raportimet e mediave ukrainase se forcat ruse po vidhnin furnizimet që ishin në këtë konvoj, që është nisur drejt qytetit të rrethuar të Mariupolit.