Koreja e Veriut pretendon se ka testuar suksesshëm një raketë me koka bërthamore

Koreja e Veriut pretendon se ka testuar suksesshëm një raketë me koka bërthamore

Koreja e Veriut e ka kryer me “sukses” një testim të rëndësishëm për zhvillimin e raketave që janë në gjendje të bartin shumë koka bërthamore, raportoi të enjten agjencia shtetërore KCNA.

Por, ky pretendim i saj është cilësuar nga Koreja e Jugut si “mashtrim” për ta mbuluar dështimin e lëshimit të një rakete ditë më parë.

Koreja e Veriut tha se testimi u krye të mërkurën duke përdorur motorin fillestar me lëndë djegëse të ngurtë të një rakete balistike me rreze të mesme veprimi.

Një ditë më parë, Koreja e Jugut tha se Veriut i kishte shpërthyer në ajër një raketë hipersonike pak pasi ishte lëshuar nga brigjet e saj lindore.

KCNA tha se raketa me sukses i shpërndau kokat bërthamore, të cilat me saktësi u hodhën në drejtim të tri caqeve, gjatë një testimi i cili kishte për qëllim zhvillimin e një rakete me shumë koka bërthamore (MIRV).

“Qëllimi ishte sigurimi i armëve për të shkatërruar caqe individuale duke përdorur shumë koka bërthamore”, tha ajo.

Ushtria jugkoreane tha në një analizë të përbashkët me ushtrinë amerikane tha se ky ishte një mashtrim nga Veriu për ta mbuluar dështimin e raketës së lëshuar një ditë më parë.

“Sot Koreja e Veriut zbuloi diçka, por unë besoj se është thjesht mjet mashtrimi dhe ekzagjerimi”, tha Lee Sung-joon, zëdhënës i Shtabit të Përgjithshëm të Koresë së Jugut.

Koreja e Jugut, Shtetet e Bashkuara dhe Japonia e dënuan testimin raketor të së mërkurës, duke thënë se ishte shkelje e rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Të enjten, këto tri vende nisën stërvitje të mëdha ushtarake së bashku, me qëllim për ta përforcuar mbrojtjen kundër sulmeve ajrore dhe detare. /REL

Related Articles