Autoritetet gjyqësore belge kanë nisur një hetim ndaj disa ish-punonjësve dhe punonjësve aktualë të NATO-s, duke arrestuar edhe një person të dyshuar për parregullësi në dhënien e kontratave për pajisje ushtarake të Aleancës.
Sipas Reuters, Prokuroria Federale belge ka deklaruar të mërkurën se si pjesë e një hetimi mbi pjesëmarrjen në një organizatë kriminale, korrupsion dhe pastrim parash, policia ka arrestuar dhe ka marrë në pyetje dy persona në Belgjikë, me njërin që vazhdon të jetë në paraburgim.
Bëhet e ditur se këto arrestime janë pjesë e hetimeve penale në Belgjikë, të cilat përfshijnë gjithashtu Luksemburgun, Spanjën dhe Holandën dhe janë të koordinuara nga agjencia e BE-së për bashkëpunim në drejtësinë penale, Eurojust.
Reuters raporton se hetimet janë të përqendruara në dyshimet për parregullsi në dhënien e kontratave të NATO-s për furnizime ushtarake si municione dhe dronë. Konkretisht, ka edhe dyshime për kalim të informacioneve konfidenciale nga punonjës të Agjencisë së Mbështetjes dhe Prokurimit të NATO-s (NSPA), me seli në Luksemburg, drejt kontraktorëve të mbrojtjes.
Sipas prokurorisë belge disa punonjës – ish ose aktualë – të NSPA-së mund të jenë të përfshirë dhe se ka indikacione që paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme janë pastruar, pjesërisht përmes krijimit të kompanive konsulente.
Është bërë e ditur poashtu se hetimet janë duke u bërë në bashkëpunim të ngushtë me NATO-n.