Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka pritur sot në takim zyrtar, homologen e tij nga Republika e Maqedonisë së Veriut, ministren e Mbrojtjes, Slavjanka Petrovska.
Përveç takimit kokë më kokë dhe në nivel të delegacioneve, në këtë takim u nënshkrua edhe Memorandumi i Mirëkuptimit, lidhur me bashkëpunimin në fushat e mbrojtjes dhe sigurisë.
Me këtë rast, Mehaj theksoi se me këtë Memorandum synohet të bashkërendohet dhe sinkronizohet korniza ligjore, masat, veprimet dhe aktivitetet që sigurojnë zbatimin sa më të suksesshëm të gjitha marrëveshjeve tona.
“Procesi i integrimit të Maqedonisë së Veriut është përvojë që do të ndajmë së bashku në procesin tonë integrues euroatlantik”, tha Mehaj.
Nga ana e saj, ministrja Petrovska, shprehu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit bilateral në mes të dy vendeve, duke ofruar përvojën e procesit të integrimit në strukturat euroatlantike, në të cilat ka kaluar Maqedonia e Veriut, si dhe mbështetjen në proceset përkatëse nga niveli i vendit anëtar të NATO-s dhe vizionit për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajonin tonë dhe më gjerë.