Lumir Abdixhiku, kandidati për kryeministër nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës këtë të diele ka folur për pesë stadiumet që është zotuar që do t’i ndërtojë, raporton Gazeta “Enigma”.
Ai thotë se Kosova do të ketë ambicie të mëdha, aso që e ngritë vendin përtej cinizmit, fjalëve të thata, e pështymave urrejtëse politike.
“Në këtë të diel të sportit, të futbollit, më lejoni të ju flas për 5 stadiumet rajonale, që i kemi prezantuar si koncept ide tashmë para investitorëve potencial, pjesë e programit tonë politik tashmë të zotuar publikisht. Në Gjilan, Gjakovë, Pejë, Prizren e Ferizaj, do të ndërtohen stadiumet e reja rajonale, të kategorisë së UEFA-s 3 dhe 4, me kapacitet 6000 deri në 7000 ulëse. Kosto e një stadiumi të tillë është rreth 12 milionë euro; financim i Qeverisë Qendrore. Këto pesë stadiume rajonale, së bashku me Stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë e ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë, e Stadiumin e Ri Kombëtar me 30 mijë ulëse, do të kompletojnë mozaikun e peisazhit modern futbollistik në Republikën tonë – në të 7 regjionet tona”, ka shkruar ai.
“Kosova duhet të ketë ambicie të mëdha. Aso që e ngritë vendin tonë përtej cinizmit, fjalëve të thata, e pështymave urrejtëse politike ku jemi sot. Kosova ka nevojë për transformim rrënjësor që na nxjerrë nga epiteti i ‘të fundit në Evropë’! Kosova ka nevojë për ndryshim dhe atë rrënjësor! Këto janë zotimet tona! Këto ne do t’i bëjmë!”. /Gazeta Enigma/