Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Zyrën Ndërlidhëse të Turqisë në Prishtinë, ka përmbyllur me sukses një trajnim të specializuar me fokus në luftimin e basteve dhe lojërave të paligjshme të fatit online.
Trajnimi u zhvillua në ambientet e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri nga data 26 deri më 30 maj 2025.
Në trajnim morën pjesë 18 hetues nga të gjitha rajonet policore të Kosovës dhe nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike. Programi u fokusua në përvetësimin e përvojave ndërkombëtare në hetimin dhe parandalimin e krimeve digjitale, me theks të veçantë në përdorimin e kriptovalutave në veprimtari të jashtëligjshme.
Dy ekspertë të lartë nga Policia e Turqisë ligjëruan mbi teknikat moderne të hetimit online, duke ndarë përvojën e tyre në identifikimin e faqeve të paligjshme të fatit, zbulimin e rrjeteve kriminale anonime dhe gjurmimin e transaksioneve përmes kriptovalutave.
Ceremonia përmbyllëse e trajnimit u nderua me pjesëmarrjen e Atasheut të Policisë dhe të Xhandarmerisë Turke, përfaqësuesve të Ambasadës së Turqisë në Prishtinë dhe zyrtarëve të lartë të Policisë së Kosovës. Gjatë kësaj ceremonie u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërkombëtar në përballjen me sfidat në rritje të krimit të organizuar digjital.
Ky trajnim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve profesionale të Policisë së Kosovës dhe një dëshmi e përkushtimit të saj në modernizimin e luftës kundër krimit kibernetik.
Policia e Kosovës mbetet e angazhuar në mbrojtjen e rendit dhe ligjit, duke avancuar vazhdimisht në përgatitjen profesionale të stafit të saj.