Një person rus më shumë në listën e zezë të Kosovës, e çoi peshë Moskën zyrtare.
Megjithëkëtë Ministrisë së Jashtme ruse iu deshën 5 ditë të reagojë për shpalljen non-grata të Andrey Antonov, më 31 dhjetor. Zëdhënësja, Maria Zakharova e cilëson këtë veprim, më së paku provokim të radhës.
“Ne e konsiderojmë mashtrimin e radhës të Prishtinës si vazhdimësi e linjës provokuese për përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike në provincë, duke e diskredituar një organizatë globale dhe jo më pak e rëndësishme, rolin konstruktiv të Rusisë në Ballkan”, deklaroi Zakharova për mediat ruse, duke i kërkuar OKB-së, të mos e pranojë vendimin e Kosovës që vazhdimisht i referohet si provincë.
Ndonëse vetë kjo organizatë bëri të ditur se Kosova si asnjë shtet tjetër në botë nuk ia dëbon dot punonjësit, në këtë rast as të UNMIK-ut ku Andrey Nikolaevich Antonov mbante pozitën e zyrtarit të lartë për mbikëqyrje të disiplinës së zyrtarëve tjerë të UNMIK-ut.
Drejtori i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike thotë se Antonovin e përcjellin që një kohë të gjatë. Ky sipas tyre nuk ndodhet në Kosovë që plot 20 muaj.
“Ky që 1 vit e 8 muaj nuk është në listën e pagave të UNMIK-ut… ka shku me jetu në jug të Rusisë ku po e mbron temën e disertacionit”, ka thënë Fatmir Sheholli, drejtor i këtij instituti.
Ndërkohë, Antonov sipas këtij instituti është shfaqur në Kosovë me identitete tjera.
Qëllimi i tij ishte që në kuadër të strukturave paralele të nxisë serbët e Kosovës për zhurmë e përçarje, për çka edhe u shpall i padëshiruar.
Klan Kosova tentoi të kontaktonte me rusin por i njëjti nuk ktheu përgjigje.
Diçka të tillë bëri para pak ditësh kur këshilloi që për secilën çështje të kontaktohej UNMIK-u.