Kosova i ka bërë kërkesë zyrtare Austrisë për huazimin e shpatës dhe përkrenares së Skëndërbeut në Prishtinë.
Kërkesa i është dorëzuar zyrtarisht Zëvendës Kancelarit Austriak dhe Ministrit Federal për Art, Kulturë, Shërbimi Publik dhe Sport, Werner Kogler nga Shoqata e Miqësisë Kosovë-Austri me në krye Arsim Vranovcin.
Kjo kërkesë është bërë në vigjilje të përvjetorit të 16-të të pavarësisë së Kosovës. Kërkesa e Kosovës është bërë me mundësi huazimi për festën e 17 shkurtit.
Avokati i njohur, Arsim Vranovci që është president i kësaj shoqate ka njoftuar se ka marr përgjigje për këtë kërkesë.
“Për huazimin e përkrenares dhe shpatës së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skenderbeu, ministria federale na ka këshilluar që kontakti të bëhet drejtpërdrejt nga Muzeu i Kosovës me Muzeun e Historisë së Arteve të Austrisë. Mbetem tërësisht i përkushtuar dhe do të punoj pandërprerë për ta lehtësuar këtë kontakt në mënyrë që të marrim përgjigje pozitive për huazimin e përkohshëm të përkrenares dhe shpatës së Skërnderbeut me rastin e shënimit të 16 vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës” ka thënë Arsim Vranovci.