Paraqitja e gjithë futbollistëve të Kosovës në stërvitjen e parë për ndeshjen kundër Sllovakisë, tregon shumë.
Tregon se sa e rëndësishme është fitorja ndaj Sllovakisë në Bratislavë. Fitorja do t’ua siguronte lojtarëve finalen e plejofit kualifikues për Kupën e Botës 2026, që do të luhej më 31 mars në stadiumin “Fadil Vokrri” kundër Turqisë apo Rumanisë.
Si asnjëherë më parë, Kosova i ka nisur përgatitjet e kompletuar. Të hënën, në ditën e parë të përgatitjeve, u paraqitën të gjithë lojtarët e grumbulluar për ndeshjen ndaj Sllovakisë.
Ndeshja zhvillohet të enjten në Bratislavë nga ora 20:45.
Kosova për herë të parë ka arritur në këtë fazë, ndërsa tani e synon historinë.
Përzgjedhësi Franco Foda ishte i pari që u paraqit në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri”.
Pas tij dolën mbrojtësi i krahut të djathtë, Mërgim Vojvoda dhe mbrojtësi i krahut të majtë, Dion Gallopeni.
Të dy pritet të startojnë ndaj Sllovakisë.
Startues pritet të jetë edhe Elvis Rexhbeçaj, i cili ishte i treti që u paraqit në stërvitjen e së hënës mbrëma.
Pak minuta më vonë u paraqitën edhe yjet tjerë të Kosovës, Vedat Muriqi, Edon Zhegrova, Arijanet Muriq, Albian Hajdari, Fisnik Asllani dhe gjithë futbollistët tjerë.
Atmosfera ishte e mirë. Lojtarët shiheshin të buzëqeshur dhe të motivuar për sukses historik.
Disa diskutonin ndërmjet vete e disa të tjerë punonin me top para se Foda t’i ftonte për t’u grumbulluar dhe për të nisur stërvitjen sipas planit.
Stërvitja nisi me ngrohje, ndërsa intensiteti i punës sa shkonte e rritej.
Puna do të rritet edhe më shumë të martën dhe të mërkurën.
Kosova do të ketë mungesa të mëdha.
Mungojnë kapiteni Amir Rrahmani, lideri i mesfushës, Leon Avdullahu, por edhe Muharrem Jashari e Leart Paqarada.
Në mungesë të kapitenit Rrahmani, shiritin do ta bartë Muriqi.
Muriqi është bindshëm golashënuesi më i mirë i “Dardanëve” me 32 gola në 66 ndeshje.
