Kosova nënshkruan marrëveshje për sigurime shoqërore me Kroacinë

Kosova nënshkruan marrëveshje për sigurime shoqërore me Kroacinë

Kosova ka nënshkruar me Kroacinë marrëveshjen për sigurime shoqërore.

Sot në kuadër të vizitës në Kroaci që po zhvillon delegacioni i udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, ministri i Financave, Hekuran Murati, e nënshkroi marrëveshjen me ministrin e Punës dhe Pensioneve të Kroacisë, Marin Piletiq.

Në njoftimin e lëshuar nga ministria thuhet se përmes marrëveshjes për sigurime shoqërore, qytetarëve të të dy shteteve, do t’u mundësohet realizimi të drejtave siç janë pensionet e moshës kontribut paguese, pensionet familjare, pensionet e invalidëve të punës dhe e drejta për pension nga shtylla e dytë, nëse kanë punuar e kontribuar në shtetet përkatëse.

“Me këtë marrëveshje, qytetarëve kosovarë të cilët kanë punuar një kohë të gjatë në Republikën e Kroacisë, do t’u mundësohet, që pas arritjes të moshës së pensionimit, të kenë të drejtë që këtë pension ta marrin në Kosovë.  Gjithashtu, qytetarëve kosovarë, do të ju mundësohet e drejta për ti bashkuar periudhat e kontributeve (stazhit të punës) në mënyrë që të realizojnë pensionin, në rastet kur nuk është e mundur që të plotësojnë kushtet ligjore për pensionim qoftë në Kosovë apo në Kroaci”, thuhet në njoftim.

Marrëveshja do të hyjë në fuqi pas ratifikimit në parlamentet e dy vendeve e ku përveç lehtësimin e barrës së qytetarëve, marrëveshje si kjo forcojnë bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.

Vlen të theksohet se vetëm dy ditë më parë u iniciua marrëveshja për sigurime shoqërore me Slloveninë, ndërsa marrëveshjet me Zvicrën, Belgjikën, Shqipërinë dhe Holandën janë duke u zbatuar tashmë.

Faza e negociatave të marrëveshjes për sigurime shoqërore me Austrinë dhe Turqinë ka përfunduar, ndërsa negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi pritet të fillojnë së shpejti.

Related Articles