Korrupsion serioz qeveritar dhe mungesë të hetimeve dhe përgjegjësisë për dhunën me bazë gjinore janë dy problemet kyçe të theksuara në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për të Drejta të Njeriut, për Kosovën.
Në këtë raport për vitin 2022 përmendet që ligji parasheh ndëshkime penale për zyrtarët e përfshirë në korrupsion, por që Qeveria nuk e ka zbatuar ligjin në tërësi.
Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosova ka shënuar progres në luftimin e korrupsionit, ani pse raporti tregon të kundërtën.
Lidhur me këtë raport, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se Kosova ka shënuar progres në të gjitha fushat por që ende nuk është aty ku dëshirohet.
“Kosova ka shënuar progres në të gjitha fushat. Natyrisht, ende nuk është aty ku ne dëshirojmë, por duhet të vazhdojmë të angazhohemi dhe punojmë që të arrijmë rezultatet që presim e i kërkojmë”, thotë ai.
Sipas Batushës, korrupsioni mbetet ende shqetësim por që nuk flitet për raport në korrupsion në nivelin qeveritar.
“Korrupsioni mbet shqetësim edhe më tutje. Në këtë raport nuk flitet për korrupsion në nivelin qeveritar. Por jemi të vetëdijshëm që korrupsioni vazhdon të jetë prezent në nivelet tjera institucionale, duke përfshirë komunat. Pjesë të pashmangshme të përgjegjësisë kanë organet e rendit, pra hetuesia, prokuroria dhe gjykatat që janë larg shumë larg angazhimit maksimal për të gjetur dhe luftuar korrupsionin. Rezultate më të mira janë arritur, por duhet shtuar intensiteti nga organet e drejtësisë”, thekson deputeti i VV-së.
Ai shton se do të vazhdojnë ta bëjnë fuqishëm atë që e kanë në dorë, duke ndryshuar ligjet në këto fusha.
“Atë çfarë kemi ne në dorë po e bëjmë dhe do vazhdojmë ta bëjmë edhe më fuqishëm, duke plotësuar dhe ndryshuar ligjet në këto fusha dhe duke implementuar ato me vullnet të hekurt”, deklaron deputeti Agon Batusha.