Përfaqësuesja e Kosovës synon fitoren në ndeshjen e nesërme kundër Qipros, e cila zhvillohet në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në orën 20:45.
Fitorja do t’ia mundësonte Dardanëve ta mbajnë pozitën e dytë në Grupin 2 të Ligës C në Ligën e Kombeve, teksa me barazim nuk do të rrezikonte rënien në Ligën D.Përzgjedhësi Alain Giresse në konferencën për media ka thënë se objektivi i vetëm në këtë ndeshje është fitorja.
“Nesër kemi ndeshjen e radhës. Synimi ynë është fitorja.Portieri Arijanet Muric e ka lënduar nyjën e këmbës në Belfast dhe nuk jam i sigurt nëse do të jetë i gatshëm për lojë. Po ashtu, në dyshim mbetet edhe Amir Rrahmani edhe pse ai është përmirësuar dukshëm”, ka theksuar Giresse.
Trajneri francez ka thënë se është i fokusuar te fitorja dhe nuk mendon në aspektin negativ.
“Sa i përket përvojës sime te Kosova, deri më tani jam i kënaqur me kushtet e punës që janë shumë të mira. Synimi im është të përparojmë dhe të ngrihemi në nivel tjetër, por edhe të sjellim lojtarë të rinj. Kur e përgatisim një ndeshje, e përgatisim për ta fituar, sepse askush nuk dëshiron humbje. A po mendoni që shumë trajnerë i përgatisin dorëheqjet e tyre? Fillimisht asnjë trajner nuk mendon ta humbë ndeshjen”, ka shtuar Giresse.
Ndërkaq, qendërmbrojtësi Mirlind Kryeziu, i cili në ndeshjen kundër Irlandës së Veriut mungoi për shkak të pezullimit të kartonëve, theksoi se të gjithë lojtarët duan që këtë ndeshja ta fitojnë, në mënyrë që këtë edicion të Ligës së Kombeve ta mbyllin në pozitën e dytë.
“E dimë që është ndeshje e rëndësishme për ta mbajtur vendin e dytë në grup dhe duam ta fitojmë. Ishim të zhgënjyer pas humbjes nga Irlanda e Veriut, pasi bazuar në lojën që e kemi luajtur rezultati nuk ka qenë real dhe nuk e kemi merituar humbjen. Por, këto ditët e fundit i kemi kaluar shumë mirë, kemi qëndruar bashkë dhe gjithçka ishte pozitive. Kështu që na mbetet ta fitojmë ndeshjen për ta mbyllur këtë edicion me fitore. I kemi analizuar gabimet nga ndeshja e parë, por e kemi analizuar edhe lojën e Qipros. Kështu që besoj se do të bëjmë një paraqitje edhe më të mirë dhe pa gabime”, ka theksuar Kryeziu.
Pas konferencës, Dardanët e kanë mbajtur stërvitjen e fundit, ku Amir Rrahmani ka qenë aktiv gjatë tërë kohës, derisa Arijanet Muric ka pushuar me qëllim të rikuperimit nga lëndimi.