Më 17 dhe 18 mars 2026, në Kosovë do të mbahet për herë të parë Kampi i FIBA-s për gjyqtaret e basketbollit, një aktivitet i rëndësishëm që synon zhvillimin dhe avancimin profesional të gjyqtareve në arenën ndërkombëtare.
Organizimi i këtij kampi vjen me iniciativën e gjyqtares kosovare Jeta Zeka, e cila është gjyqtarja e parë femër nga Kosova me stemën e FIBA.
Kjo nismë mbështetet fuqishëm nga Federata e Basketbollit e Kosovës dhe zhvillohet në kuadër të Planit Strategjik të federatës për periudhën 2026–2030, që ndër të tjera synon rritjen e pjesëmarrjes së vajzave dhe grave në basketboll.
Në kamp do të marrin pjesë gjyqtare nga disa vende të Evropës, përfshirë Kosovën, Greqinë, Malin e Zi, Bullgarinë, Austrinë dhe Hungarinë. Instruktori i kampit do të jetë Sinisa Herceg, instruktor i FIBA-s për gjyqtarë.
Përveç sesioneve teorike që do të zhvillohen gjatë paradites, pjesëmarrëset do të kenë mundësinë të ndajnë drejtësinë edhe në ndeshjet e Final 4 të Liga Unike e Femrave, që do të zhvillohen në Prizren.
