Kosova pritet të ketë së shpejti atashe në Belgjikë

Kosova pritet të ketë së shpejti atashe në Belgjikë

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se së shpejti do të zyrtarizohet Atasheu i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës në Belgjikë, një hap që pritet të forcojë bashkëpunimin institucional dhe ushtarak mes dy vendeve.

Në një njoftim të publikuar lidhur me pjesëmarrjen e tij në panairin BEDEX 2026, ministri ka bërë të ditur se ka zhvilluar një takim shumë të frytshëm me Ministrin e Mbrojtjes të Belgjikës, Theo Francken.

“Diskutuam për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, me fokus të veçantë në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, rritjen e bashkëpunimit ndërmjet ushtrive tona përmes trajnimeve të përbashkëta, si dhe mundësitë për shkëmbimin e oficerëve për shkollimin dhe avancimin profesional të tyre,” ka shkruar ministri.

Ai ka shtuar se akreditimi i Atasheut të Mbrojtjes do të kontribuojë drejtpërdrejt në forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve ushtarake të Kosovës dhe Belgjikës.

“Kosova po ndërton partneritete të forta me aleatët tanë dhe po avancon me vendosmëri drejt forcimit të kapaciteteve të mbrojtjes dhe integrimit euroatlantik. Së bashku me aleatët tanë, për më shumë siguri, stabilitet dhe zhvillim,” ka përfunduar njoftimi i ministrit.

Related Articles