Pavarësisht sfidave, Kosova ka tërhequr një numër investitorësh të rëndësishëm, është thënë në konferencën vjetore mbi zhvillimet më të fundit në promovimin dhe tërheqjen e investimeve të huaja në Kosovë, të mërkurën.
Po ashtu, u tha se Kosova ka shënuar progres në luftën kundër korrupsionit.
Korrupsioni në Kosovë është zvogëluar e investimet e huaja janë rritur për 43.6 për qind në krahasim me vitin e shkuar, është thënë në konferencën vjetore mbi zhvillimet më të fundit në promovimin dhe tërheqjen e investimeve në Kosovë.
Në konferencë po ashtu u tha se duhet të punohet më shumë në furnizimin e qëndrueshëm të energjisë dhe në disa aspekte të tjera për të tërhequr investitorë nga vendet e BE-së.
“Ne dëgjuam këtu edhe bizneset që korrupsioni është zvogëluar. Po ashtu, ne si BE e vlerësojmë përparimin që është bërë edhe në fushën e legjislacionit në përputhje me atë të BE-së. Qeveria ka komunikuar dhe e përçon një përkushtim ndaj agjendës së Bashkimit Evropian. Sa i përket krizës energjetike, në kohë krize paraqiten edhe mundësi për të reflektuar shteti nga sektori i energjisë. E kuptojmë që tani diversifikimi i burimeve të energjisë është i domosdoshëm për të pasur një qasje të gjelbër, e cila është një zgjidhje dhe një qëndrueshmëri në të ardhmen”.
“Ndërsa, për investimet e huaja shumë investitorë seriozë nga shtetet e Bashkimit Evropian së pari bazohen në furnizimin e qëndrueshëm të energjisë, edhe nëse ajo energji vjen nga burimet e ripërtërishme të energjisë. Po ashtu duhet pasur një ambient të pastër me shërbime”, ka thënë Annacarin Platon, udhëheqëse e sektorit të politikave ekonomike dhe integrimit evropian në Zyrën e BE-së.
Kryeministri Albi Kurti tha se Kosova qëndron më mirë në sundimin e ligjit sesa vendet e rajonit.
“Në mesin e 14 shteteve të Evropës Lindore që nuk janë ende në Bashkimin Evropian, jemi të dytët pas Gjeorgjisë, ndërkaq në Ballkan jemi të parët qe dy vjet, ndërsa këtë vit jemi të parët në botë sa i përket përmirësimit të sundimit të ligjit, kjo ka ndikuar në përmirësimin e klimës dhe me krijimin e Gjykatës Komerciale”, ka thënë Kurti.
E ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, u shpreh se Kosova synon më shumë investime, eksporte dhe punësime.
“Kosova ka përparësi të shumta, është efektiviteti i kostos, është rinia e arsimuar, është cilësia e ndërmarrësisë në vendin tonë me kompetencën e përpunimit në sektorë të rëndësishëm industrialë me orientim për të inovoluar nga nevoja. Ne synojmë për integrimin e fuqishëm ekonomik e tregtar me vendet e Bashkimit Evropian dhe principatat e BE-së. Lajm i mirë është se me kalimin e viteve tregtia po rritet, po bëhet më e rregulluar, ka monitorim aktiv të tregtisë përtej kufijve dhe pjesëmarrja e njerëzve në sektorin e tregtisë formale po rritet”, ka thënë Hajdari.
Në konferencë po ashtu u tha se Qeveria është e vendosur për ta ndaluar tregtinë jo formale dhe të paligjshme.