Përkundër vështirësive e pakënaqësive mes palëve, Federata e Notit të Kosovës ka marrë pjesë në Kampionatin Botëror të FINA-s. Mirëpo, jo gjithçka ka shkuar siç duhet për përfaqësuesit kosovarë në not. KOK-u ishte ankuar në FINA, ndërkaq tash po e pret padinë.
Me “dy kryetarë”, siç pretendojnë Astrit Haliti e Besnik Halili, Kosova është përfaqësuar në Australi, ku edhe është mbajtur Kampionati Botëror, nga kryetari Haliti.
Por, kundër përfaqësimit të Kosovës nga kryetari Halitit kishte dalë Komiteti Olimpik i Kosovës. Sipas Haltit, KOK-u kishte dërguar letër zyrtare në FINA duke shpjeguar se ata e njohin për kryetar vetëm Besnik Halilin.
Më 24 shtator, Besnik Halili ishte zgjedhur kryetari i Federatës së Notit të Kosovës me anë të një kuvendi të jashtëzakonshëm.
Kundër zgjedhjes së tij kishte dalë kryetari, Astrit Haliti i cili nuk e pranon kandidaturën e tij, përkundër se Halili e ka përkrahjen e plotë nga Komiteti Olimpik i Kosovës.
Sipas Halitit, kuvendi i jashtëzakonshëm i mbajtur në shtator është i jashtëligjshëm dhe kryetari i tij nuk duhet pranuar.
“Pa pasur kuorum kanë tentuar ta uzurpojnë Federatën e Notit të Kosovës, përmes një kuvendi të thirrur në mënyrë të pa ligjshme”, thuhet në reagimin e FNK-së, në krye me Astrit Halitin.
Kryetari i FNK-së i zgjedhur në muajin mars, Haliti ka shkuar edhe më tej duke kërcënuar me padi Bordin Ekzekutiv të Komitetit Olimpik të Kosovës.
“Në rast se nuk deklaroheni kundër këtyre shkeljeve ne do ta padisim edhe Bordin Ekzekutiv të KOK në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, si dhe do të përballeni me veprime tjera ligjore dhe rezistencë aktive nga Bordi i FNK, nga klubet e notit, nga prindërit e qindra fëmijëve që po tentoni ti lini jashtë pishinave, e jashtë garave sportive të Notit”, thuhet në deklaratën e FNK-së të drejtuar nga Haliti.
Kosova ishte përfaqësuar në Kampionatin Botëror të Notit për pishina të vogla nga dy notarë: Martin Muja dhe Hana Beiqi, por selektori i FNK-së, Enver Haradini kishte thënë se ai nuk ishte pyetur për dërgimin e tyre.