Nebojsha Zelenoviq, bashkëkryetar i partisë “Zajedno”, e cila përfaqësohet nga 8 deputetë në parlamentin e Serbisë, ka thënë se marrëveshja përfundimtare Serbi-Kosovë duhet të përmbajë kushtin e çmilitarizimit të kësaj të fundit si dhe moslejimin e bashkimit të saj me Shqipërinë pa marrë pëlqimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe të vetë Serbisë për një gjë të tillë.
Në një intervistë për gazetën serbe “Danas”, Zelenoviq foli edhe për mundësinë që Serbia të pranojë që Kosova të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.
“Ne duhet të fillojmë të kuptojmë realitetin në të cilin jetojmë. Kur është fjala për Kosovën”, thotë ai në një intervistë për “Danas”, “së pari duhet formimi i Asociacionit të Komunave [me Shumicë, shën.red.] Serbe, në bazë të marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015, si dhe të merren zgjidhjet që ekzistojnë në autonomitë e zhvilluara në Evropë”.
“Serbia duhet të kërkojë demilitarizimin e Kosovës dhe garanci për të. Për më tepër, marrëveshja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës duhet të përmbajë një dispozitë që ndalon bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, pa pëlqimin e Serbisë dhe AKS-së. Ajo marrëveshje duhet të zgjidhë çështjet e hapura pronësore të natyrës publike dhe private ndërmjet dy palëve, si dhe të përmbajë një zgjidhje për statusin e së drejtës publike ndërkombëtare të kishës dhe monumenteve historike që janë thelbësore për identitetin e serbëve”.
“Nëse një marrëveshje e tillë do të ishte pjesë përbërëse e marrëveshjes për politikën e përbashkët mbrojtëse të rajonit dhe krijimin e Komunitetit Ekonomik të Ballkanit Perëndimor, atëherë do të krijoheshin kushtet për ndryshim të qëndrimit të Beogradit për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, ka thënë Zelenoviq në këtë intervistë.
Bashkëkryetari i partisë “Zajedno”, thekson po ashtu se “në vetvete, marrëveshja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës nuk mund të sigurojë stabilitet të qëndrueshëm në rajon”. Sipas tij, nevojitet një zgjidhje e plotë në këtë pikë.
Ai thotë se Bosnja e Hercegovina është problem më i madh se Kosova pasi thekson se “gjysma e qytetarëve atje nuk duan të jetojnë në atë vend dhe kufijtë nuk do të ndryshojnë pa luftë. Maqedonia e Veriut ka sfidat e veta”, tha ai, për të shtuar se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor mund të arrijnë në BE vetëm nëse shkojnë të gjithë së bashku.
“Prandaj propozimi ynë është që të mbahet një Konferencë Ndërkombëtare për Ballkanin Perëndimor, në të cilën do të marrin pjesë të gjashtë entitetet nga rajoni, pastaj vendet e Kuintit (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Italia), si dhe Kroacia”.
“Qëllimi i mbajtjes së konferencës ndërkombëtare është arritja e një marrëveshjeje për politikën e përbashkët të mbrojtjes së rajonit, e cila do të ishte plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së. Mënyra për të arritur këtë qëllim është lidhja e kontratave dypalëshe të mbrojtjes ushtarake midis Serbisë dhe Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Marrëveshje të tilla ushtarako-mbrojtëse do të ishin themeli për formimin e Komunitetit Ekonomik të Ballkanit Perëndimor, si një hapësirë e vetme ekonomike, në territorin e të gjashtë subjekteve. Më shumë se njëzet milionë njerëz do të kishin mundësinë të lëviznin, të vendoseshin, të shëroheshin, të studionin dhe të bënin biznes pa asnjë kufi”, theksoi ai.
Zelenoviq thotë se partia e tij kërkon që Serbia të shkojë kah Perëndimi, “duke zgjidhur sa më parë çështjen e Kosovës në një periudhë sa më të shpejtë”.
Sipas tij, nuk ka rëndësi se kush e nënshkruan propozimin evropian Kosovë-Serbi, “por çfarë perspektive hap një marrëveshje e tillë”.
“Është koha që Serbia të dalë me një vendim të qartë se dëshiron të jetë pjesë e botës së lirë, e cila bazohet në respektimin e të drejtave të njeriut, zgjedhjet e lira, lirinë e medias dhe respektimin e shtetit të së drejtës dhe të paraqesë kërkesat e saj legjitime. Serbia duhet të dalë me një politikë të re dhe të kërkojë mbajtjen e Konferencës Ndërkombëtare për Ballkanin Perëndimor. Përveç Kosovës, duhet të zgjidhen edhe çështjet jetike për funksionimin e Bosnjë-Hercegovinës, si dhe çështje të tjera të hapura të rajonit”, potencoi Nebojsha Zelenoviq, bashkëkryetar i partisë së majtë serbe “Zajedno”.