Kombëtarja e Kosovës U19 në konkurrencën e femrave ka shënuar fitore edhe në ndeshjen e dytë në kuadër të raundit të dytë të kualifikimeve për Evropianin e këtij viti.
Pas fitores ndaj Estonisë, Dardanet e reja, të premten në mbrëmje, në Edinburgh, kanë shënuar fitore kundër Kazakistanit, me rezultat 2:1, në kuadër të Grupit 4 në Ligën B.
Vashat kosovare e dominuan ndeshjen dhe krijuan shumë raste shënimi, por nuk u treguan aq efikase para portës kazake.
Alketa Rama e kaloi Kosovën në epërsi në minutën e 15-të, derisa gjashtë minuta para përfundimit të pjesës së parë kazaket i barazuan shifrat me golin e Nursulu Blazhan.
Megjithatë, në pjesën e dytë të përzgjedhurat e Kushtrim Munishit arritën që pas shumë rasteve të realizojnë golin e fitores nëpërmjet Fortesa Berishës, në minutën e 66-të.
Dy fitore i ka edhe Skocia, që është kundërshtarja e radhës e Dardaneve, me të cilën do të ballafaqohen të hënën, më 11 prill.
Ekipi që e fiton Grupin 4 të Ligës B e siguron promovimin në Ligën A për shortin e ardhshëm të ciklit kualifikues. E kualifikimi në Evropian mund të arrihet vetëm përmes Ligës A.